Mezoterapi – Për flokë të bukur e të fortë
Lufton rënien, redukton zbokthin dhe stimulon daljen e flokëve të reja
Nëse keni besuar se floku është gjysma e bukurisë së njeriut nuk e keni patur aspak gabim. Jo më kot industria kozmetike shpenzon shifra marramëndëse për trajtimin dhe bukurinë e tyre, ndërsa tashmë jo vetëm gratë, por edhe burrat po i kushtojnë një vëmendje të veçantë këtij aspekti.
Ka raste kur shampot dhe trajtimet e zakonshme nuk mjaftojnë. Stresi, dieta ushqimore, problemet e lëkurës së kokës apo edhe agjentët atmosferikë ndikojnë në shëndetin e flokëve tona. Nga ana tjetër, shpesh njerëzit neglizhojnë duke shfaqur kujdes vetëm atëherë kur shohin që situata përkeqësohet.
Mezoterapia jep përgjigje aty ku kozmetika dorëzohet. Problemet me rënien e flokut, ushqyerja e rrënjës së tij, ushqyerja e skalpit dhe eliminimi i zbokthit janë disa nga benefitet e mezoterapisë.
Çfarë është mezoterapia
Është fjala për një nga trajtimet më të përhapura të kozmetikës moderne në eliminimin e disa problemeve. Mezoterapia jep rezultat tek lëkura dhe tek flokët, dhe konsiston në injektimin në lëkurën e kokës (skalpit) të përzierjeve të ndryshme të vitaminave, aminoacideve dhe mineraleve, komponentë që ushqejnë flokun dhe rrënjën e tij. Kjo metodë ndalon rënien e flokut, forcon flokët e dobët dhe i bën ata më të fortë e të shndritshëm. Trajtimi kryhet vetëm nga profesionistë dhe zgjat 40-50 minuta.
Përzierja që do të përdoret është individuale për çdo person dhe përcaktohet në bazë të problematikave të tij, me qëllimin për të arritur rezultate maksimale.
Numri i seancave që do të kryhen përcaktohet nga specialisti.
Rastet kur përdoret mezoterapia:
- Rënie masive e flokëve
- Yndyrë e tepërt e skalpit
- Zbokth
- Skalp i thatë dhe i dëmtuar
- Flok i dobët dhe i dëmtuar
- Humbje e volumit në pjesën e bazës
Rezultatet
- Rënia e flokut ndalet në mënyrë graduale
- Aktivizohet rritja e flokut dhe dalja e flokëve të rinj
- Aktiviteti i gjendrave dhjamore reduktohet dhe flokët duken më të pastër, më të gjatë dhe më të plotë
- Rritet qarkullimi i gjakut dhe oksigjeni në rrënjë
- Reduktohet zbokthi
- Përmirësime shihen edhe në dendësinë e flokëve, butësinë dhe shkëlqimin që marrin gjatë krehjes ose stilimit
- Mos harroni: Realizoni gjithmonë foto para dhe pas procedurës, në mënyrë që të identifikoni më qartë ndryshimin.
Avantazhet e mezoterapisë
Avantazhi kryesor i trajtimit është ushqyerja e folikulave të flokut përmes injeksioneve që kryhen me një age shumë të vogël. Duhet thënë se asnjë shampo, maskë apo medikament nuk mund të arrijë në një rezultat kaq pozitiv.
Gjithashtu vlen të përmendet se ndryshe nga trajtimet me medikamente, mezoterapia nuk krijon probleme në sistemin tretës. Produktet ndikojnë vetëm zonën e trajtuar dhe nuk krijojnë efekte anësore. Edhe pse rezultatet janë ta dallueshme që pas seancës së parë, ndryshime të dukshme mund të identifikohen pas 3-4 javësh.